Gjidhënia është dhurata e nënës për fëmijën e saj, për veten dhe për njerëzimin! Kjo është Java Botërore e Ushqyerjes me Gji.
Le të ndërgjegjësohemi për rolin që ka ushqyerja me gji në parandalimin e vdekjeve të fëmijëve si rrjedhojë e infeksioneve gastro-intestinale si dhe në parandalimin e kequshqyerjes së fëmijëve.
Cilat janë përfitimet shëndetësore për nënën që ushqen me gji?
Ushqyerja me gji ka përfitime shëndetësore për nënën pasi ndihmon në mbështetjen e rikuperimit më të shpejtë pas lindjes.
Hormoni oksitocinë, i cili prodhohet gjatë ushqyerjes me gji, shkakton kontraktimin e mitrës, duke e rikthyer atë në madhësinë e saj origjinale dhe redukton sasinë e gjakderdhjes pas lindjes.
Ushqyerja me gji mund të ulë gjithashtu rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit dhe vezoreve, diabetit të tipit 2 dhe presionit të lartë të gjakut.
Cilat janë përfitimet shëndetësore për fëmijën?
Sipas studimeve ushqyerja me gji është burimi më i mirë i ushqyerjes dhe hidratimit për foshnjat. Kur jeni të ekspozuar ndaj ndonjë bakteri ose virusi, trupi juaj prodhon antitrupa për ta luftuar atë. Gjatë ushqyerjes me gji, këto antitrupa do të kalojnë përmes qumështit të gjirit dhe do ta mbrojnë fëmijën nga infeksionet dhe sëmundjet si:
- Infeksionet gastrointestinale (diarre dhe të vjella) Infeksionet e veshit dhe infeksionet e frymëmarrjes
- Sëmundjet inflamatore të zorrëve
- Leuçemia
- Astma dhe fishkëllima
Disa përfitime shtesë potenciale afatgjata të ushqyerjes me gji, përfshijnë një rrezik më të ulët të zhvillimit të diabetit dhe obezitetit në moshë madhore. Bakteret në qumështin e gjirit gjithashtu mund të përmirësojnë më tej shëndetin e foshnjës duke parandaluar rritjen e mikroorganizmave që shkaktojnë sëmundje dhe duke nxitur rritjen e mikrobeve të dobishme në zorrë.
Këshilla dhe udhëzime për ushqyerjen me gji:
Kontakti lëkurë me lëkurë
Është e rëndësishme ta mbani fëmijën tuaj në kontakt lëkurë me lëkurë menjëherë pas lindjes.
Pirja e alkoolit nëse ushqeni me gji
Nëse pini alkool, një pjesë e tij kalon tek fëmija juaj gjatë ushqyerjes me gji. Është e arsyeshme të pini jo më shumë se dy gota alkool në javë gjatë ushqyerjes me gji.
Pirja e duhanit nëse ushqeni me gji
Është mirë të mos pini duhan nëse jeni duke ushqyer me gji, pasi qumështi i gjirit do të përmbajë nikotinë. Kjo ju rrit rrezik infeksioni, i cili mund të ulë furnizimin me qumësht dhe të shkaktojë mastit. Ekziston gjithashtu një rrezik i shtuar i sindromës së vdekjes së papritur të foshnjave (SIDS) për foshnjën e një nëne që pi duhan.
Marrja e ilaçeve nëse ushqeni me gji
Ilaçet me recetë dhe pa recetë mund të ndikojnë në ushqyerjen me gji. Nëse mjeku juaj i përgjithshëm ju përshkruan ilaçe, tregoni se jeni duke ushqyer me gji. Nëse blini pa recetë qetësues kundër dhimbjeve ose ilaçe kundër ftohjes dhe gripit, pyesni farmacistin për ushqyerjen me gji dhe çdo efekt nga marrja e ilaçeve.